Tonight Ilva Tare: Historia e Anës, nëna e 5 fëmijëve që bashkëjetoi me dhunën 9 vjet
05.09.2017 11:32
Përditesuar: 05/09/2017, 11:33

“Tonight Ilva Tare” në Ora News e nisi sezonin e ri me një rrëfim ekskluziv të një gruaje të dhunuar nga ish-bashkëshorti i saj për 9 vite me rradhë.

Ana, (emër jo i vërtetë)  kështu quhet nëna e 5 fëmijëve që bashkëjetoi me terrorin për vite me rradhë, solli dëshmi tronditëse të dhunës së përjetuar nga ish-burri i alkoolizuar.

Ana tregon sesi bashkëshorti i saj dhunues u dënua nga gjykata për tre vjet por doli nga burgu pas tre muajsh. Sesi burri dhunues i kishte dalë përpara asaj dhe 5 fëmijëve dhe e kishte kërcënuar të mos shkonte në gjykatë për të bërë divorcin.

Sesi pas denoncimit familja e bashkëshortit,  e kishte nxjerrë në mes të 4 rrugëve me pretendimin se kishte kryer turp duke futur bashkëshortin e saj në burg.

Tregon kalvarin e vuajtjeve që i duhet të bëjë për tu kujdesur për 5 fëmijët e saj ndërsa bashkëshorti vazhdon ta kërcënojë. Thotë se ka kërkuar urdhër mbrojtjeje por policia nuk ia ka dhënë “Duan fakte. Fakti i fortë ndoshta është kur të vdes, ose të më çajë kokën” thotë ajo.

Çfarë kërkon Ana?

Një strehim për fëmijët e saj që të mos mbetet rrugëve dhe një punë për t’i rritur ata.

Por a mendon të kthehet ndonjëherë sërish me bashkëshortin?

“Jam larguar tre herë dhe jam kthyer tre herë dhe nuk ka ndryshuar.  Nuk bëhet fjalë. Frikë kam sepse ai vazhdon të kërcënojë, por më duhet të jetoj” thotë ajo.

Ana e mbyll rrëfimin e saj me një apel të fortë ndaj grave si ajo të dhunuara.

“Mos heshtni!”

Vjen reagimi: Gjergji Gjika i ofron punë në fasoneri, Vishaj avokat falas

Rrëfimi i plotë 

Tare: Të falenderoj që zgjodhe studion e Tonight për të rrëfyer historinë tëndë të dhimbshme të dhunës përreth 9 vjet që nga momenti që je fejuar e më pas je martuar me bashkëshortin dhe e ke divorcuar dy vjet më parë.

Ana: Po.

Tare: Më trego pak historinë tëndë.

Ana: U njoha me shkuesi, ishte shumë i dhunshëm, pinte alkool dhe nuk më linte të dilja nga shtëpia. Kërkonte gjëra që nuk ishin sepse ai shpenzonte nëpër klube. Më rrihte, shante, nuk më linte të takoj familjarët.Nuk kisha guxim ti thoja as familjes që të mos i përplas familjet bashkë. Dhe nga shteti nuk kisha besim, kisha frikë se kthehem prapë dhe ma bën dhe më keq.Jetova për 9 vite.Dy herë u shkëputa dhe ika tek familja ime, u ktheva prapë me shpresën se po ndryshon. Ai nuk ndryshoi dhe më keq ma bëri.Denoncimin e fundit që bëra ishte pas 9 vitesh. Nuk e duroja dot më. Filloi të rrihte dhe fëmijët, pinte alkool dhe vinte në shtëpi.E denoncova vetë.

Tare: Po thua gjëra shumë të rënda dhe unë e kuptoj se fatkeqësisht je mësuar dhe me dhunën, e ke duruar shumë. 9 vjet janë shumë për të duruar dhunë mbi veten tënde dhe fëmijët e mitur. Pse kaq shumë?

Ana:Ku të shkoja? Do ta denoncoja në polici, ai do vinte prapë në shtëpi. Do dënohej tre muaj, do vinte prapë. Më keq do bëhej puna. Dy herë që e denoncuan lagjia që panë shamatë në shtëpi, shkoi në klub me policin e zonës dhe i rregulloi gjërat. Makina e policisë që erdhi në lagje, iku.Nuk erdhi të më shihte mua në shtëpi si isha e dëmtuar.Isha e larë në gjak në shtëpi. Kur erdhi nga klubi në shtëpi më keq ma bëri. Nuk më bën gjë shteti mua, më tha. Pse më denoncove? Edhe më keq, edhe më zi. Mbeta pastaj, ku të shkoja me fëmijët. Në shtëpi nuk më linte, familjarët e tij më thoshin ik se e ke denoncuar, e ke çuar burrin në burg. Mbeta mes rrugëve.U dorëzova në një shoqatë dhe shoqata më solli në Tiranë.

Tare: Çfarë ndodhi në momentin kur ti vendose të mos e falësh më?

Ana: Më lau në gjak, më rrahu fëmijët, i hodhi përtokë, bërtisnin kur më shihnin mua të larë në gjak. Nëse nuk bënte gjë shteti do mbytesha në ujë, nuk kthehesha mbrapsht.Nuk kthesha të takohesha me të.Ika e gjakosur, fëmijët i lashë në shtëpi se kisha frikë që më del para dhe më mbyt mua dhe fëmijët.Mos ta kuptonte që ika unë. Shkova dhe denoncova në polici.Më panë dhe më çuan në spital, ku qepa kokën.U ktheva dhe u thashë të më çojnë tek fëmijët, kisha hall ku i lashë. Më sollën në shtëpi. Më shoqëruan policia.Pastaj e arrestuan.

Tare: Çfarë ndodhi pastaj, e padite?

Ana: Po.Për dhunë. E kishte për tu dënuar 3-6 vjet por doli për 3 muaj.

Tare: Çfarë ndodhi, u largove nga qyteza dhe kërkove ndihmë?

Ana: Kërkova ndihmë tek një shoqatë, më dhanë urdhëmbrojtjen, më sollën këtu në Qendrën e grave të dhunuara. Jetova 9 muaj bashkë me fëmijët. Por prapë mbeta mes rrugëve me fëmijët.Urdhërmbrojtjen e kisha për një vit. Kam kërkuar sërish por nuk ma kanë dhënë, më thonë sill faktet. Faktet është kur të vdes, ose kur të çaj prapë kokën. Kisha disa fakte por nuk i pranuan.

Tare: Ke kontakte me ish-bashkëshortin? Ke frikë?

Ana: Kam frikë, thotë dua të takoj fëmijët, ti shoh. Fëmijët nuk ia lë, se nëse ai nuk kujdeset as për ushqim, as për gjë tjetër nuk kam pse t’ia lë. Ai bëhet dhe më i vështirë.

Tare: Është çështje inati që nuk të ndihmon financiarisht apo ke frikë?

Ana: Është më shumë frika. Kur kemi qenë me të nuk na ka mbajtur, jo më tani që jam e divorcuar. Vajzën 6 muajshe e ka dhunuar jo tani.

Tare: Tek strehëza ku ka qenë nuk ia kanë bërë as divorcin. Kur ka vajtur për të bërë divorcin është vonuar gjysmë ore sepse shkonte me furgon me 5 fëmijët dhe nuk ia kishin bërë. I është dashur të bëjë kërkesën nga e para. Na e trego pak këtë detajin Ana, ishte rrënqethës.

Ana: Kisha senacën e gjyqit, dy vjet kam bërë seancë gjyqi. Ika me fëmijët se i kërkonin të 5 prezentë që ti pyesnin. Furgonin e merrja vetë. Ai më doli përpara.U zumë dhe nuk më la të shkoj në gjykatë. Ia kam thënë dhe gjykatës. Më ka dalë përpara që të shkoj me vonesë. Më ka rënë shpullë në mes të rrugës.U pushua çështja se ika me vonesë.

Tare:Të kërkojnë një kontratë noteriale për të dhënë ndihmën sociale?

Ana: Po ma kërkojnë dhe nuk ma japin njerëzit e shtëpisë.Kontratë shtëpie ku jetoj, se jetoj me qira. Ma kërkon Bashkia dhe unë nuk e bëj dot se nuk ma japin aty ku jetoj. Gjendjen Civile e kam kthyer në Tiranë. Më kërkojnë kontratën e shtëpisë.Pronari i shtëpisë nuk ma bën se thotë nuk dua të regjistroj pronën në bashki.

Tare: Ana, çfarë do ti?

Ana: Unë një strehim për fëmijët e mi që të mos mbetin rrugëve dhe një punë që të jetoj bashkë me ata fëmijë.

Tare: Në shkollë janë fëmijët?

Ana: Tre janë në shkollë, dy janë në kopsht. Shkojnë rregullisht.

Tare: E mendon ndonjëherë të kthehesh me ish-bashkëshortin për hir të fëmijëve?

Ana: Jam larguar tri herë dhe jam kthyer dhe asnjëherë nuk ka ndryshuar dhe unë kam frikë.

Tare: Mund të takohesh me ndokënd që mund të jetë partneri yt?

Ana: Nuk bëhet fjalë. Të fund ndokënd midis 5 fëmijëve të mi. Ata do të gëzojë. Për ata jetoj.

Tare: Frikë ke?

Ana: Kam frikë si nuk kam. Çka të bëj.

Tare: Të ka kërcënuar ish-bashkëshorti?

Ana: Kërcënon vazhdimisht, ofendon, egërsohet. Faleminderit prej jush që ma dhatë këtë mundësi që të flas sonte. Askush nhuk duhet të heshtë!

Tare: Urime edhe ty për kurajën! Faleminderit për mesazhin.

Komento